Mundja ndaj Benficas la hidhërim në shtëpinë e Milanit. San Siro ishte i qetë, pritshmëria e lartë dhe edhe Gerry Cardinale, i lidhur nga New Yorku, priste një përgjigje të ndryshme pas investimit të madh veror. Rezultati evropian, megjithatë, ka hapur kryesisht një fazë reflektimi, jo një krizë të vërtetë. Besimi te Ruben Amorim mbetet i paprekur, pasi projekti nuk vihet në diskutim, por tani nevojitet një ndryshim i ritmit. CARDINALE MBETET PRANË AMORIM Amorim ishte zgjedhur nga Cardinale verën e kaluar për stilin e tij të futbollit dominues, agresiv dhe intensiv, të aftë të kontrollojë lojën përmes zotërimit të topit. Pronari kuqezi ka mbështetur këtë vizion me prezencë të vazhdueshme dhe një merkato të rëndësishme, prandaj nuk ka asnjë qëllim për të mohuar rrugëtimin që sapo është nisur. Pas eliminimit në Europë, takimi mes Amorim dhe Cardinale ka qenë i drejtpërdrejtë, por pa drama. Trajneri mbetet i palëkundur, ashtu si edhe mbështetja e pronarit. Problemi, nëse ka, është të rikthehet shpejt ai shkëlqim që u pa në fitore të para kundër Torinos dhe Venecias. Ndeshja e së dielës kundër Lecces tani merr një rëndësi të madhe. Amorim dëshiron t'i rikthejë besimin grupit dhe të ulë tensionin, i vetëdijshëm se kalendari së shpejti do të bëhet shumë më i ngarkuar mes Serisë A dhe Europa League. Trajneri e di se disa aspekte duhet të korrigjohen,më pak nxitim, më shumë ekuilibër dhe stabilitet më i madh mbrojtës, pa hequr dorë megjithatë nga parimet e qarta të lojës. Për këtë arsye, që nga e diela mund të rikthehen titullarë Rabiot dhe Pulisic, elementë të thirrur për të rritur cilësinë dhe personalitetin. Koncepti është pra i thjeshtë,ky projekt ka nevojë për kohë, por koha fitohet edhe me rezultatet. Dhe të dielën ndaj Lecces, Milani nuk mund të lejojë asnjë gabim.