Interi i Cristian Chivu ka siguruar fitoren e parë në Ligën e Kampionëve të këtij sezoni. Nerazzurri fituan 1-0 ndaj Shakhtar Donetsk, duke marrë pikët e para në fazën e grupeve. Pas një javë të dytë katastrofike, java e tretë e Ligës së Kampionëve përfundoi me katër fitore nga katër për skuadrat italiane. Në komentet e tij pas ndeshjes, Cristian Chivu analizoi performancën e lojtarëve të tij, duke u ndalur edhe te përjashtimi i Bastonit. Trajneri rumun filloi duke u ndalur te forma aktuale e skuadrës së tij në Ligën e Kampionëve: Krijuam disa raste, por pastaj u bëjmë paksa të kujdesshëm dhe të shqetësuar. Mendoj se humbjet e vitit të kaluar në Ligën e Kampionëve kanë lënë gjurmë. Duhej të luanim një ndeshje serioze, të organizuar, duke ditur që nuk do të ishte e lehtë, dhe të përpiqeshim ta kthenim rezultatin në pjesën e dytë nëse nuk ia dilnim në të parën. Mendoj se tre zëvendësimet para minutës së 60-të sollën më shumë energji dhe entuziazëm. Pastaj mbetëm me dhjetë lojtarë, dhe atëherë treguam që mund të nxjerrim forcat e fundit, duke rritur nivelin e përqendrimit dhe energjisë. Ne gjithashtu ishim me fat që nuk pësuam gol. Më pas, për përjashtimin dhe mënyrën se si ekipi reagoi, ai shtoi: Kur je me dhjetë lojtarë në Ligën e Kampionëve apo në çdo ndeshje tjetër nuk është kurrë e lehtë. Edhe me njëmbëdhjetë lojtarë, do të kishim pasur vështirësi për të rimarrë topin kundër një skuadre cilësore. Por ne i palosëm mëngët, bëmë disa vrapime shtesë, disa vrapime të ndryshme. Mendoj se e rritëm atë nivel përkushtimi dhe energjie që nevojitet në një ndeshje të tillë. Jam i lumtur për djemtë, sepse ata u përkushtuan vërtet,të gjithë u përkushtuam, duke pasur parasysh se Liga e Kampionëve ka qenë një sfidë për ne kohët e fundit. Shpresoj që kjo ndeshje të rikthejë besimin dhe entuziazmin që ky ekip ka treguar në Ligën e Kampionëve në vitet e kaluara. PËR MARTINEZIN Më pas Chivu foli për portierin e tij, i cili zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer pas gabimeve të tij kundër Club Brugge: Të tre portierët e mi janë të shkëlqyer. Nuk mund të jem shumë i ashpër në gjykimin e tyre për disa gabime. E di që portieri është gjithmonë ai që përfundon në faqen e parë dhe në qendër të vëmendjes kur bën një gabim, por puna ime është t'i jap atij qetësi mendore dhe besim. Unë ia jap atij po ashtu si edhe të dy të tjerëve, sepse sezonet janë të gjata dhe na duhet gjithmonë të gjithë. Ndonjëherë duhet të jesh edhe i durueshëm, sepse jemi të vetëdijshëm që kemi tre portierë shumë të mirë dhe shumë të fortë. Ai përfundoi me lavdërime për të gjithë ekipin: Sot dua t'u jap pak meritë të gjithëve, sepse të gjithë bënë mirë, madje edhe ata që nuk hynë si zëvendësues. Po ashtu po mendoj për Pion, të cilin doja ta fusja, por kur mbetëm me dhjetë lojtarë mendoj se na duhej më shumë thellësi, disa topa për t'i luajtur në hapësirë. E mbajtëm Marcusin në fushë. Jemi të gjithë të lodhur,dhamë gjithçka sot sepse ishim të vendosur ta fitonim. Ndonjëherë, besoj, të fitosh edhe pa luajtur bukur do të thotë shumë.